Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, më datë 27 mars 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Praktika gjyqësore për sa i përket parakushteve procedurale dhe zgjidhjes në themel të problematikave të parashtruara në lidhje me aktet kadastrale në referim të rregullimit të ri ligjor sipas ligjit me nr.111/2018 dhe ligjit me nr.20/2020. Kufijtë e shqyrtimit gjyqësor dhe mënyrat e disponimit të gjykatës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me aktet kadastrale”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Elda Vrioni dhe Sokol Pina
Lehtësues: Hazbi Balliu
Qëllimi i këtij trajnimi është: që pjesëmarrësit të njihen me risitë dhe problematikat ligjore e të praktikës gjyqësore; të diskutohen ato dhe të ofrohen interpretimet dhe zgjidhjet më të mira të pranuara nga jurisprudenca.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Hapat e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme sipas ligjit nr.111/2018 dhe llojet e titujve që regjistrohen; Rëndësia e ankimit administrativ;
- Situatat e kufizimit të pasurisë së regjistruar;
- Specifikat e procesit gjyqësor me objekt paligjshmëri të AMTP-ve dhe procedura e legalizimit të objektit informal në raport me të drejtat e pronarit jo posedues sipas ligjit nr.20/2020;
- Funksionet e transkriptimit- regjistrimit - të titujve; Mosregjistrimi i pronës dhe cenini i të drejtës së pronësisë;
- Raporti ndërmjet padisë për kërkimin e sendit dhe procesi i legalizimit;
- Mosmarrëveshjet për të drejtat mbi ndërtimin që legalizohet (neni 26 i ligjit 20/2020);
- Zgjidhja e mosmarrëveshjeve që burojnë nga mbivendosjet fiktive;
- Praktika gjyqësore lidhur me kushtet formale të padive me bazë ligjore ligji 111/2018 dhe 20/2020;
- Paligjshmëria e AMTP-së në këndvështrim të ligjit 20/2020 dhe bashkëndërgjyqësia e detyrueshme;
- Aspekte të ligjshmërisë së urdhrit të kufizimit;
- Kompetenca e ASHK-së në vlerësimin e ligjshmërisë së titujve të pronësisë në procesin e regjistrimit;
- Ndërgjyqësia si palë e ASHK në proceset gjyqësore që burojnë nga ligji 111/2018;
- Kompetenca lëndorë për mosmarrëveshjet që burojnë për krijimin e sendit në legalizim dhe roli Ashk-së në kryerjen e veprimeve për legalizimin e objektit;
- Ligji aplikueshëm për kriteret për legalizimin e objektit.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë.